Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Arlind Manxhuka, ka reaguar lidhur me raportimet për një takim të mëparshëm mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe Fehim Salit, i cili është arrestuar më 13 gusht në Merdarë nën dyshimin për spiunazh.
Manxhuka, ka deklaruar se gjatë viteve të fundit Kryeministri Albin Kurti ka pritur dhjetëra organizata të komuniteteve joshumicë që janë të regjistruara dhe veprojnë në Kosovë.
Ai ka thënë se institucionet nuk bëjnë dallime ndaj organizatave, por theksoi se institucionet e sigurisë, përfshirë Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), po identifikojnë gjithnjë e më shumë raste me elemente të dyshimta të spiunazhit.
“Ne nuk bëjmë detektorin e askujt dhe as s’japim amnesti për askënd. Por, tash si asnjëherë më parë, institucionet e sigurisë, si AKI janë duke zbuluar gjithnjë e më shumë elemente të tilla të dyshimta spiunazhi, për çka i përgëzojmë për punën”, ka deklaruar Manxhuka.
Tutje, zëdhënësi i Qeverisë shtoi se ekzekutivi e vlerëson punën e institucioneve të sigurisë në identifikimin dhe trajtimin e rasteve të dyshimta.


























