Ministria e Arsimit dhe Shkencës u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të mos nxitojnë me blerjen e teksteve mësimore dhe materialeve shkollore.
Ministria njofton se procesi i negocimit të çmimeve të teksteve me shtëpitë botuese ende nuk ka përfunduar.
Për këtë arsye, katalogu përfundimtar i teksteve mësimore dhe çmimet përkatëse nuk janë publikuar ende zyrtarisht.
“Pas përfundimit të procesit të negocimit me shtëpitë botuese, Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të publikojë katalogun përfundimtar me çmimet e teksteve mësimore dhe do të përcaktojë shumën përkatëse për blerjen e librave për secilin nxënës. Andaj u bëjmë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të presin publikimin zyrtar të katalogut dhe të mos bëjnë blerje paraprake të teksteve mësimore”, thuhet në njoftim.
Njëkohësisht, ministria u ka kërluar librarive dhe shitësve të teksteve mësimore që të mos fillojnë shitjen e librave para përfundimit të procedurave dhe publikimit të njoftimit zyrtar nga Ministria.
“Për çdo informacion të mëtejshëm, prindërit, kujdestarët ligjorë dhe të gjithë të interesuarit duhet t’i referohen vetëm njoftimeve dhe publikimeve zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës”, theksohet në fund të njoftimit./teve1.info/


























