Arritja më e madhe kombëtare e shekullit 20 dhe 21 është UÇK-ja. Edhe ne, nëse nuk ua kujtojmë fëmijëve tanë këtë arritje madhështore të kombit shqiptar, i cili ia solli lirinë popullit shqiptar në Kosovë dhe ia avancoi gjendjen politike, sociale dhe ekonomike shqiptarëve në Maqedoni, atëherë ne nuk jemi mirënjohës për këtë liri dhe për këtë mirësi që dikush për to shumë ka sakrifikuar, dikush prej tyre dëshmor ka rënë, e dikush ka mbetur i lënduar dhe vazhdon të kontribuojë për këtë kauzë pa kufi.
Edhe një popull mund të jetojë sot i lirë, sepse para tij kanë jetuar njerëz që këtë liri e kanë paguar me një çmim shumë të madh. Shumë njerëz para nesh e kanë dhënë pasurinë e vet, e kanë harxhuar rininë e vet, e kanë harxhuar shëndetin e tyre, e kanë harxhuar çdo send të shtrenjtë dhe të çmueshëm që kanë pasur, bile edhe jetën e vet, që ne të gëzojmë liri, që ne të gëzojmë avancim, që ne të gëzojmë të drejta të cilat përpara s’i kemi pasur.
Andaj, mirënjohja ndaj secilit që ka kontribuuar për këtë mirëqenie, rehati, komoditet dhe liri që e kemi, përveç që është obligim ndaj Krijuesit, është edhe kujtim. Edhe për kujtim për ata burra të mëdhenj që kanë sakrifikuar, që kanë prishur rehatinë e tyre, që janë plagosur, janë lënduar dhe jetën si dëshmor e kanë dhënë, që ne si shqiptarë këtu në Maqedoni, edhe vëllezërit tanë shqiptarë në Kosovë, të jetojmë më mirë e më lirë.
E ne këto momente nuk duhet t’i harrojmë. Andaj, ne sot, kur flasim për këto të mira që na ka dhënë Allahu, nuk duhet të jenë momente simbolike, një flamur që e ngremë apo një ditë që e festojmë apo një ceremoni të caktuar në kalendar. Por duhet të shohim krejt ata burra e ato gra, ata njerëz të mëdhenj që kanë qëndruar, që kanë qëndruar besnikë në këtë rrugë derisa na ka ardhur liria.
Pas lirisë qëndrojnë familje të shumta që kanë vuajtur. Pas lirisë qëndrojnë nëna që kanë përcjellë bijtë e tyre dhe kurrë më të gjallë nuk i kanë parë. Pas lirisë qëndrojnë baballarë që kanë mbetur pa fëmijë. Pas lirisë qëndrojnë familje që kanë mbetur pa të dashurit e tyre. Qëndrojnë fëmijë që kanë mbetur edhe janë rritur pa prindër.
Pas lirisë qëndrojnë njerëz që kanë braktisur shtëpitë e tyre, njerëz që kanë kaluar nëpër burgje, dëbime, kanë pësuar plagë e gjymtime e lëndime, varfëri edhe vuajtje. Pas lirisë qëndrojnë tërë ata që kanë dhënë pasurinë e tyre në atdheun tonë, edhe ata vëllezër në diasporë, dijen e tyre, punën e tyre dhe në raste më të rënda edhe jetën e tyre.
Prandaj, kur e gëzojmë lirinë, nuk duhet të harrojmë sakrificën e madhe që qëndron pas krejt kësaj. Pse? Sepse ai që harron sakrificën e të tjerëve rrezikon ta keqkuptojë edhe vlerën e asaj që ka trashëguar.
Kjo liri, kjo gjendje e mirë që fëmijët tanë nuk e dinë, nuk e kanë shijuar vuajtjen para kësaj gjendjeje. Edhe ne, nëse nuk ua kujtojmë fëmijëve tanë simbolet tona madhështore, arritja më e madhe kombëtare e shekullit 20 dhe 21 është UÇK-ja. Edhe ne, nëse nuk ua kujtojmë fëmijëve tanë këtë arritje madhështore të kombit shqiptar, i cili ia solli lirinë popullit shqiptar në Kosovë dhe ia avancoi gjendjen politike, sociale dhe ekonomike të shqiptarëve në Maqedoni, atëherë ne nuk jemi mirënjohës për këtë liri dhe për këtë mirësi që dikush për to shumë ka sakrifikuar, dikush prej tyre dëshmor ka rënë, e dikush ka mbetur i lënduar dhe vazhdon të kontribuojë për këtë kauzë pa kufi.
Andaj, në këtë kontekst, gjithë ajo sakrificë për lirinë, domethënë, duhet të na kujtojë edhe këtë moment vendimtar, gjykimin e krerëve të UÇK-së të Kosovës që bëhet tani në Hagë dhe presim me padurim që më 16 shtator 2026 të shpallen të pafajshëm e të kthehen në familjet e tyre, në gjirin e popullit tonë ballëlartë dhe faqebardhë, sepse me të vërtetë ata kanë qenë ata burra të cilët i kanë pri luftës, sakrificës që populli shqiptar sot jeton më mirë.
Normalisht se në luftë ka mundësi me pasë gabime individuale, ka mundësi dikush t’i tejkalojë kufijtë që i ka pasur, mirëpo krejt kjo, sipas drejtësisë gjenerale universale, kërkon që asnjëherë viktimat të mos barazohen me agresorin, i pushtuari me pushtuesin dhe çlirimtari me atë që erdhi për të nënshtruar një popull.
Por, vëllezër të dashur, megjithatë, mirënjohja jonë nuk duhet të jetë vetëm emocionale. Nuk mjafton që një herë në vit ne t’u themi lavdi dëshmorëve tek varrezat e dëshmorëve, nuk mjafton publikimi i një fotoje, nuk mjafton të vendosim një flamur e as të mbajmë një fjalim. Mirënjohja e vërtetë është të kuptojmë se çfarë është bërë sakrificë dhe çfarë duhet të bëjmë ne me atë që na është lënë pas.
Nëse dikush ka sakrifikuar për lirinë, ndërsa ne e përdorim lirinë për të bërë padrejtësi, për të vjedhur, për të korruptuar, për të poshtëruar tjetrin, për të përçarë shoqërinë dhe për të dëmtuar vendin tonë, atëherë duhet ta pyesim veten: a thu vallë e kemi kuptuar si duhet vlerën e lirisë?
Nëse dikush ka luftuar që fëmijët tanë të kenë një të ardhme më të mirë, ndërsa ne ua shkatërrojmë të ardhmen duke lejuar korrupsionin, papërgjegjësinë, drogën, dhunën, urrejtjen, degjenerimin, atëherë çfarë kuptimi ka mirënjohja jonë dhe pretendimi ynë për atdhedashuri?
Ne jemi dëshmitarë, të dashur vëllezër, se te testi i një institucioni ndërkombëtar që quhet PISA, edhe vjet edhe sivjet, shkollat tona i tregon se janë shumë larg mesatares së pritur. Edhe nëse ne kështu vazhdojmë me këtë standard të ulët të arsimimit dhe shkollimit të fëmijëve tanë, ku përgjegjës jemi të gjithë, askush nuk shfajësohet nga përgjegjësia.
Edhe ne hoxhallarët jemi përgjegjës, edhe prindi në shtëpi është përgjegjës, edhe arsimtari edhe profesori në shkollë është përgjegjës, edhe drejtorët e shkollave dhe stafi udhëheqës i tyre është përgjegjës, edhe përgjegjësit komunalë e qyteteve janë përgjegjës, edhe ata të Ministrisë së Arsimit janë përgjegjës, edhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit është përgjegjëse. Të gjithë ne jemi përgjegjës për këtë rezultat të ulët të testit të fëmijëve tanë në shkollat tona.
E krejt ajo luftë e madhe dhe ajo sakrificë do të jetë, do të shkojë huq, nëse fëmijët e tanë nuk e kuptojnë se mirënjohja e fëmijëve tanë ndaj këtyre dëshmorëve, ndaj krejt këtyre patriotëve, ndaj krejt këtyre që kanë pasur atdhedashuri është që ata të kenë notat e mira me meritë, jo me ndërhyrje nga e djathta e e majta.
Nëse dikush ka sakrifikuar që ne të jetojmë të lirë, ndërsa ne e përdorim lirinë për ta fyer njëri-tjetrin, për të përhapur urrejtje dhe për ta kthyer shqiptarin kundër shqiptarit, atëherë nuk e kemi kuptuar si duhet amanetin e lirisë. Liria nuk është vetëm e drejtë, liria është amanet, është përgjegjësi.
O besimtarë, Allahu na ka dhënë shumë mirësi të cilat nuk i kuptojmë përderisa i kemi, vetëm kur i humbim, atëherë e dimë vlerën. Sigurinë e kuptojmë kur e shohim frikën, shëndetin e kuptojmë kur sëmuremi, rininë e kuptojmë kur të plakemi, familjen e kuptojmë kur ta humbim, ndërsa lirinë e kuptojmë pas mjerimit, kur e shohim se çfarë do të thotë të jetosh pa të.
Andaj Allahu Dhul Xhelal thotë në Kuran: “O ju që keni besuar, përkujtojeni të mirën e All-llahut ndaj jush…”(Surja Ah’zab, 9) , po ashtu Allahu thotë: “Pra ju më kujtoni Mua (me adhurime), Unë ju kujtoj juve (me shprëblim). Më falënderoni e mos Më mohoni). (Surja el-Bekare, 152)
Andaj, të dashur vëllezër, falënderimi ndaj Allahut Dhul Xhelal për lirinë nuk duhet të na çojë në harresën e njerëzve që kanë qenë shkak për arritjen e saj. Përkundrazi, sa më shumë që ne e falënderojmë Allahun për lirinë, aq më shumë duhet të dimë t’i nderojmë këta njerëz që kanë sakrifikuar për të, ashtu siç tha Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk e ka falënderuar Allahun ai që nuk i falënderon njerëzit”. [1]
Andaj, le të kuptojmë se mënyra më e mirë për t’i nderuar është të bëhemi ne të denjë për atë që na e kanë lënë amanet. Sakrifica e tyre që dhanë më të shtrenjtën nuk duhet të mbetet vetëm kujtim, por duhet të na shtyjë drejt punës dhe përgjegjësisë për vendin dhe shoqërinë.
Nëse i duam ata me të vërtetë që sakrifikuan për lirinë tonë, atëherë duhet ta ruajmë këtë liri me drejtësi. Nëse i nderojmë ata përnjëmend, duhet ta ruajmë vendin e punës, angazhimin e mirëfilltë dhe kontributin e madh për këtë shtet, për këtë vend e për këtë komb.
Nëse i nderojmë përnjëmend ata, të mos e shkatërrojmë atë për të cilën ata u sakrifikuan. Nëse i kujtojmë ata, atëherë këtë histori t’ia mësojmë fëmijëve tanë dhe nuk lejojmë që ata të harrojnë.
Andaj, o njerëz, të mos bëhemi mosmirënjohës! Të mos harrojmë të mirën e secilit që ka bërë ndaj nesh! Mos t’i harrojmë njerëzit që na kanë ndihmuar! Mos t’i harrojmë prindërit e tanë! Mos t’i harrojmë mësuesit tanë! Të mos t’i harrojmë të gjithë ata që kanë punuar për ne dhe të mos t’i harrojmë të gjithë ata që kanë sakrifikuar që sot ne të jetojmë të lirë!
Sepse vazhdon porosia e Pejgamberit, sallallahu alejhi ve sellem: nuk mund të jemi falënderues të vërtetë ndaj Allahut nëse ne nuk e falënderojmë secilin njeri për çdo të mirë që na e ka shkaktuar.
Falënderojmë Allahun me zemër, falënderojmë Allahun domethënë me mirënjohje, me vepra të mira, pastaj i falënderojmë edhe njerëzit dhe dëshmojmë me veprat tona për mirënjohjen tonë ndaj tyre.
Nëse Allahu na e ka dhënë lirinë, ta përdorim për të bërë mirë. Nëse Allahu na ka dhënë sigurinë, ta përdorim për të ndërtuar vendin tonë. Nëse Allahu na ka dhënë mundësi për të punuar, të punojmë. Nëse na ka dhënë mundësi të mësojmë, të mësojmë. Nëse na ka dhënë mundësi të kontribuojmë, të kontribuojmë.
Dhe nëse ne jemi trashëgimtarë të një vendi të lirë, ta lëmë atë edhe më të mirë sesa që e kanë lënë brezat para nesh për brezat pas nesh.
E lusim Allahun e Madhërishëm: na bëj mirënjohës për dhuntitë e Tija, mos na bëj prej atyre që i harrojnë mirësitë e Tija! O Allah, mëshiroj dhe shpërblej të gjithë ata që kanë sakrifikuar për familjet, shoqërinë dhe vendin tonë!
O Allah, shpërblej prindërit tanë, mësuesit tanë, dijetarët dhe shkencëtarët tanë, punëtorët tanë, bamirësit tanë dhe të gjithë ata që kontribuojnë për të mirën e njerëzve në vendin tonë!
O Allah, ruaje vendin tonë nga përçarja, urrejtja, padrejtësia dhe çdo e keqe! O Allah, ruaji fëmijët e tanë dhe rininë tonë, udhëzoji ata dhe bëji njerëz të dijes, të moralit dhe amanetit e përgjegjësisë!
O Allah, na ndihmo që lirinë që e kemi trashëguar ta ruajmë me drejtësi dhe ta përdorim për të mirën e përgjithshme!
O Allah, mëshiroji të gjithë ata që kanë kaluar nga kjo botë pas një sakrifice shumë të madhe dhe vuajtje që kanë pasur! O Allah, shpërbleji familjet që kanë dhënë më të dashurit e tyre!
Allahu i ktheftë faqebardhë krerët e UÇK-së në mesin tonë! Allahu e ruajttë vendin, popullin, familjet dhe fëmijët e tanë! Allahu na dhëntë dije, drejtësi, urtësi dhe përgjegjësi për ta ruajtur lirinë, amanetin që e kemi trashëguar!
Hoxhë Bekir Halimi
[1]E përcjell Ebu Daudi me nr. 4 811, Tirmidhiu me nr. 1 954, dhe e saktësoi Albani në librin “Vargu i Haditheve të sakta” me nr. 416.


























