Në Drenas ka nisur “Ora e Pritjes”, një simbolikë e vendosur në qendër të qytetit për të shënuar numërimin mbrapsht deri në vendimin përfundimtar në Hagë, ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përcjell Kosova Post.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se kjo orë përfaqëson pritjen për drejtësi dhe liri për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
“Në ora 20:00, në Sheshin “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci”, filloi “Ora e Pritjes”, ora e lirisë për çlirimtarët. Krah shtatores së Fehës dhe Xhevës, “Ora e Pritjes” do të shënoj rrjedhën mbrapa të sekondave, minutave, orëve dhe ditëve, deri te vendimi lirues për heronjtë tanë të luftës dhe paqes, Hashimin, Kadriun, Jakupin dhe Rexhën. Ora e lirisë për çlirimtarët, është peshë e pamatshme mbi shpirtin atdhetar, peshë mbi mendjen e kontribuesve të çlirimit të Kosovës, është pritje për drejtësi. Heronjtë tanë të luftës dhe paqes, e kurorëzuan përpjekjen tonë shekullore për liri, bashkë me NATO- dhe Amerikën, andaj, sot e përgjithmonë, historia nuk rishkruhet. Liri për çlirimtarët”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.


























