Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të organizimit të maratonës ndërkombëtare “Prishtina 2026”, të dielën (nesër) do të bllokohet qarkullimi i disa rrugëve në Prishtinë dhe rajonin e Fushë-Kosovës, duke përfshirë një pjesë të autostradës.
Siç thotë njoftimi, Policia ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura policore për të ofruar siguri për të gjithë pjesëmarrësit, si dhe ka ndërmarrë masat e nevojshme për të përcaktuar lirimet, kufizimet, bllokimet e plota apo të pjesshme të segmenteve të caktuara rrugore, me qëllim rregullimin e qarkullimit rrugor dhe drejtimin e trafikut, në mënyrë që të krijohet rrjedhshmëri normale në trafik.
Policia e Kosovës do të ndërpresë qarkullimin e automjeteve në rrugën Prishtinë – Fushë-Kosovë në drejtim të Pejës dhe anasjelltas, deri te nyja (kyçja në autostradën ‘Ibrahim Rugova’). Plani do të fillojë të zbatohet të dielën (20.09.2026), duke filluar nga ora 09:00 deri në përfundim të maratonës”, thuhet në njoftim.
Për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten në qarkullimin rrugor, Policia kërkon ndihmën dhe mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve dhe i ka lutur ata t’i ndjekin udhëzimet si më poshtë.
- Ngasësit që udhëtojnë nga Peja në Prishtinë → të përdorin rrugën përmes: Sllatinës – fsh. Magurë – Lipjan → pastaj lidhen me rrugën nacionale Ferizaj – Prishtinë.
- Ngasësit që udhëtojnë nga Peja dhe Fushë-Kosova → të përdorin rrugën përmes: Sllatinës – Bardh i Vogël – fsh. Kuzmin – Fushë-Kosovë.
- Ngasësit që udhëtojnë nga Prishtina ose Veterniku drejt Pejës/Aeroportit → rruga: Prishtinë – Lipjan – Rufc i Ri – Poturoc – Magurë – Aeroport.
- Ngasësit që udhëtojnë nga Mitrovica drejt Pejës ose Aeroportit → të shfrytëzojnë autostradën prej Mazgitit në drejtim të Shkupit, të dalin në Lipjan, pastaj: Rufc i Ri – Poturoc – Magurë – Aeroport.
- Ngasësit që udhëtojnë nga Mitrovica drejt Ferizajt → do të kenë lëvizje të lirë në rrugën nacionale, pa ndalesa.
- Transporti publik (autobusët) në relacionin Prishtinë – Fushë-Kosovë – Aeroport dhe në drejtim të Pejës → nuk duhet të qarkullojnë në këtë rrugë gjatë kohës së garës, por të përdorin rrugët alternative të përmendura më sipër.


























