Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se është nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi me Ministrinë e Mbrojtjes, me synim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për mbrojtjen e mjedisit, përcjell KosovaPost.
Sipas Pacollit, marrëveshja u nënshkrua së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe parasheh angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mbështetje të aksioneve shtetërore për mbrojtjen e ambientit.
Ajo theksoi se FSK-ja do të kontribuojë me personel, makineri dhe kapacitete logjistike për të garantuar një ambient më të sigurt dhe më të pastër.
“Bashkojmë forcat për një Kosovë më të pastër! Përmes kësaj marrëveshjeje, Forca e Sigurisë së Kosovës do të mbështesë aksionet shtetërore me personel, makineri dhe kapacitete logjistike për të garantuar ambient të sigurt dhe të pastër”, ka deklaruar Pacolli.
Ministrja në detyrë shtoi se mbrojtja e mjedisit është përgjegjësi shtetërore që kërkon angazhim të përbashkët, duke vlerësuar se ky partneritet dëshmon bashkërendimin e institucioneve për mbrojtjen e hapësirave publike, rritjen e sigurisë mjedisore dhe krijimin e një mjedisi më të pastër për qytetarët.


























