Përplasje në Kuvendin e Prishtinës për “Tulltoren”, LVV pengon fjalimin e Ramës

Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Prishtinës kanë kundërshtuar dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale në lokacionin “Tulltorja”.

Gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të mbajtur të premten, asamblistët e LVV-së kanë penguar fjalimin e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke goditur tavolinat me duar dhe duke i drejtuar atij pranga.

Rama ishte duke folur për pikën e parë të rendit të ditës, që ka të bëjë me “Propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme të Komunës së Prishtinës, lokacioni ‘Tulltorja’”.

Kryetari i Prishtinës ka mohuar akuzat se prona komunale po falet, duke thënë se ajo po jepet vetëm në shfrytëzim dhe se nga kjo marrëveshje Kryeqyteti pritet të përfitojë rreth 1 milion euro në vit.

“Dhe pas përfundimit të periudhës së shfrytëzimit, jo vetëm toka, por edhe aseti i ndërtuar në të i mbetet Kryeqytetit. Prandaj, mos e dezinformoni qytetarin duke i thënë se po falet toka. Nuk po falet asnjë metër pronë komunale. Po e marrim një pronë që sot nuk i sjell kryeqytetit veç probleme, po e vendosim në funksion të zhvillimit dhe po krijojmë një aset që i sjell Kryeqytetit të hyra, vende pune, zhvillim dhe, në fund, i mbetet vetë kryeqytetit”, ka deklaruar Rama.

Ndërkohë, asamblisti i Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla, ka kritikuar ashpër kryetarin Rama lidhur me këtë çështje.

Sveçla ka deklaruar se nëse Rama nuk përfundon në burg për këtë çështje, atëherë, sipas tij, “Kosova ka përfunduar si shtet dhe si shoqëri”.

 

 

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish