Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar veprën dhe figurën e artistit Xhevdet Xhafa, pas hapjes së ekspozitës së tij në Galerinë Kombëtare të Kosovës, përcjell KosovaPost.
Kurti e ka përshkruar Xhafën përmes një krahasimi me filozofinë stoike dhe me Rugovën, duke vënë në pah karakterin dhe veprën e artistit.
“Paramendojeni Epikurin Stoik… Nuk ka nevojë, e keni parë: Xhevdet Xhafa”, ka shkruar Kurti.
Duke folur për veprat e artistit, Kurti ka theksuar se ato të krijojnë ndjesinë e qëndrueshmërisë dhe të përballjes me shikuesin.
“Piktura porsi mermer, të cilave nuk mund t’ju kalosh pranë se të gozhdojnë. Brishtësinë që ua pandeh atyre nga larg, teksa u afrohesh e gjen veçse te vetja e mbërthyer. Ajo që mbetet poshtë në tokë, të përball si përmendore”, ka shkruar ai.
Kurti ka vlerësuar edhe krijimtarinë shtatëdekadëshe të Xhafës, duke thënë se imagjinata e artistit ka krijuar vepra që janë bërë pjesë e identitetit kulturor dhe shijes estetike.
Sipas tij, këto vepra do të vazhdojnë t’u flasin edhe brezave të ardhshëm.
Kurti ka komentuar edhe raportin e artistit me institucionet e artit dhe kulturës, duke thënë se ato “e kanë mbajtur disi larg”, ndërsa ka vlerësuar se ekspozita e tij në Galerinë Kombëtare të Kosovës ka tërhequr vëmendjen e publikut.
Ekspozita e Xhevdet Xhafës do të jetë e hapur për vizitorët deri më 20 nëntor.
Në fund, Kurti e ka krahasuar Xhafën me një luftëtar gueril që bëhet president në moshën 93-vjeçare.
“Paramendojeni një luftëtar gueril që bëhet president në moshën 93 vjeçare. Nuk ka nevojë, e keni parë: Xhevdet Xhafa”, ka shkruar kryeministri në detyrë.


























