Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te memoriali “Kosova kujton”, kushtuar viktimave të 11 shtatorit, në ShBA.
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar viktimat e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se qytetarët e Kosovës e përjetuan tragjedinë e vitit 2001 me një afërsi të veçantë.
Në fjalën e saj përkujtimore, Haxhiu tha se Kosova, e cila vetëm dy vjet më herët kishte kaluar luftën dhe kishte pasur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, e ndjeu dhimbjen e popullit amerikan si dhimbjen e një miku të madh.
“Kosova e vitit 2001 ende po e merrte veten nga lufta. Vetëm 2 vjet më herët, Shtetet e Bashkuara kishin qenë pranë nesh në një nga periudhat më të rënda të historisë sonë. Historitë tona janë të ndryshme dhe secila bart dhimbjet e veta, por ne e dinim nga përvoja jonë e afërt çfarë peshe ka prania e mikut sidomos në ditët e vështira. Prandaj, kur Amerika u godit më 11 shtator, qytetarët e Kosovës nuk e përjetuan atë si një tragjedi, e një vendi tjetër, një vendi të largët, dhimbja e asaj dite hyri në shtëpitë tona, në bisedat tona dhe u përjetua me një afërsi të veçantë, si dhimbja për një mik të madh”, tha Haxhiu.
Ajo theksoi se sulmi terrorist në Shtetet e Bashkuara u kuptua në Kosovë edhe si një sulm ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor.
“Ndërsa vetë sulmi u kuptua si sulm ndaj lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor, vlerat që kishin qenë edhe në themel të mbështetjes amerikane për Kosovën. Disa qytetarë të Kosovës shkuan deri te zyra amerikane në Prishtinë dhe u paraqitën si vullnetarë për të luftuar përkrah ushtarëve amerikanë. Ishte një reagim i jashtëzakonshëm dhe spontan. Që tregonte se afër e ndjente Kosova dhimbjen e Amerikës”, deklaroi ajo.
Haxhiu tha se, 25 vjet pas sulmeve, është e rëndësishme që kujtesa për këtë ngjarje të përcillet edhe te brezat që nuk e kanë përjetuar drejtpërdrejt.
“25 vjet pas 11 shtatorit, e kemi një brez që nuk e ka jetuar atë ditë, për të 11 shtatori është histori e mësuar nga rrëfimet e atyre që e përjetuan, nga fotografitë dhe nga pamjet që kanë mbetur të ngulitura në kujtesën e botës. Kjo është edhe arsyeja pse pas një çerek shekulli nuk mjafton vetëm t’i kujtojmë ata që humbën jetën, duhet t’u tregojmë edhe atyre që erdhën më pas se çfarë ndodhi atë ditë, sa shpejt mund të prishet rrjedha e zakonshme e jetës. Por edhe sa shumë mund të bëjë njeriu për njeriun në çastet e vështira”, tha Haxhiu.
Në ceremoninë përkujtimore ka folur edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ka ndarë kujtimet nga vizita e tij në memorialin dhe muzeun e 11 Shtatorit në Nju-Jork.
Kurti tha se një prej vizitave më mbresëlënëse që ka zhvilluar në Shtetet e Bashkuara ishte ajo e vitit të kaluar, kur së bashku me bashkëshorten e tij, Ritën, vizituan memorialin dhe muzeun në “Ground Zero”.
“Prej të gjitha udhëtimeve që i kam bërë në ShBA, njëra prej vizitave më mbresëlënëse ka qenë vizita bashkë me gruan time, Rita, te memoriali dhe muzeu i 11 shtatorit, te ‘Ground Zero’ të qytetit të Nju-Jorkut të vitit të kaluar. Aty patëm mundësi të bëjmë homazhe, të kujtojmë viktimat dhe të mësojmë e reflektojmë mbi të gjitha aspektet e sulmeve të asaj dite”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se 11 Shtatori shënon një prej sulmeve më vdekjeprurëse në historinë e Shteteve të Bashkuara.
“Sot jemi mbledhur këtu për të shënuar përvjetorin e 25-të të atij sulmi. Ky sulm ishte më vdekjeprurësi që ka përjetuar ShBA-ja ndonjëherë”, tha ai.
Kryeministri në detyrë ritheksoi mbështetjen e Kosovës për Shtetet e Bashkuara, duke e lidhur atë me përkushtimin e përbashkët ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë.
“Kosova qëndron përkrah ShBA-së, jo vetëm se ShBA-ja nuk e ka braktisur kurrë Kosovën. Ne qëndrojmë dhe gjithmonë do të qëndrojmë me Amerikën sepse përkushtimi ynë ndaj lirisë dhe demokracisë, dhe vendosmëria jonë për t’i mbrojtur këto vlera, është i palëkundur”, theksoi Kurti.
Në fund, Kurti tregoi edhe mesazhin që kishte lënë gjatë vizitës së tij në muzeun “Ground Zero” në Nju-Jork, një vit më parë.
“Në dalje të muzeut Ground Zero, lash një shënim të thjeshtë para një viti: ‘Memory lives, freedom wins’, pra, ‘Kujtesa jeton, liria fiton’”, potencoi Kurti.
Homazhe të ky memorial gjatë ditës do të zhvilloj edhe PDK-ja e Aleanca.
Memoriali “Kosova kujton” është ngritur në Prishtinë si shenjë solidariteti dhe kujtimi për viktimat e sulmeve të 11 shtatorit në SHBA.


























