Policia e Kosovës ka përcjellë një mesazh vetëdijesues për qytetarët, duke paralajmëruar se publikimi apo shpërndarja e fotografive dhe incizimeve intime pa pëlqimin e personit është vepër penale.
Në materialin informues të publikuar nga Policia e Kosovës, qytetarët paralajmërohen për rastet e kërcënimit me publikimin e materialeve intime, përfshirë mesazhe të tilla si: “I kam videot dhe fotot tua” apo “Ke vetëm 24 orë për të vendosur”.
Policia thekson se kërcënimi me publikim të materialeve intime dhe vetë publikimi i tyre përbëjnë vepra penale, duke u bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë raste të tilla.
Për raportim, Policia e Kosovës ka vënë në dispozicion numrin 192, adresën elektronike, si dhe aplikacionin “Lajmëro Policinë”.
Policia apelon te qytetarët që të mos heshtin përballë kërcënimeve apo shantazheve të tilla, por t’i raportojnë ato tek autoritetet kompetente.


























