Policia e Kosovës ka realizuar dy ekstradime në bashkëpunim me autoritetet e Shqipërisë dhe Zvicrës, përcjell KosovaPost.
Sipas Policisë së Kosovës, më 27 gusht, një shtetas kosovar me inicialet H.M. është ekstraduar nga Kosova në Shqipëri, pasi ndaj tij kishte urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë shqiptare për veprën penale “Vjedhja e rëndë”.
Ekstradimi është realizuar në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, ku H.M. iu dorëzua autoriteteve shqiptare për procedurat e mëtejshme ligjore.
Ndërkaq, më 28 gusht, nga Zvicra në Kosovë është ekstraduar shtetasi kosovar P.S., i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
P.S. është sjellë përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, ku iu dorëzua njësive përgjegjëse të Policisë së Kosovës, përkatësisht zyrtarëve të Stacionit Policor në Viti.
Policia ka bërë të ditur se këto ekstradime janë realizuar falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve të dy shteteve.
Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU) ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare për parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, si dhe lokalizimin dhe arrestimin e personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.


























