Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka uruar tre gjeneralët e rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas ceremonisë së gradimit të tyre,npërcjell KosovaPost.
Bëhet fjalë për Arife Halilin, Astrit Halitin dhe Mehmet Lladrovcin, të cilët tashmë mbajnë gradën e gjeneralit në FSK.
Përmes një postimi, Haxhiu ka shprehur bindjen se gjeneralët e rinj do ta kryejnë me përgjegjësi detyrën e tyre, duke vlerësuar profesionalizmin, përvojën dhe përkushtimin e tyre.
“Urime gjeneralëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Arife Halili, Astrit Haliti dhe Mehmet Lladrovci. Jam e bindur që me profesionalizmin, përvojën dhe përkushtimin tuaj do t’i shërbeni me nder dhe me dinjitet Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.
Ceremonia e gradimit shënon një moment të rëndësishëm për tre pjesëtarët e FSK-së, të cilët nga tash do të ushtrojnë përgjegjësi të reja në kuadër të institucionit të sigurisë së Kosovës.


























