Presidenti egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi, deklaroi të hënën para një samiti të liderëve botërorë se propozimi i Presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme përfaqëson “mundësinë e fundit” për paqe në rajon dhe përsëriti thirrjen e tij për një zgjidhje me dy shtete, duke theksuar se palestinezët kanë të drejtë për një shtet të pavarur.
Samiti në qytetin turistik Sharm el-Sheikh, pranë Detit të Kuq, kishte për qëllim mbështetjen e armëpushimit të arritur në Gaza, që i dha fund luftës Izrael-Hamas, dhe zhvillimin e një vizioni afatgjatë për qeverisjen dhe rindërtimin e territorit të shkatërruar palestinez.
Takimi duket se ishte dizajnuar për të mobilizuar mbështetjen ndërkombëtare pas vizionit të Trump për të vendosur fundin e luftës. El-Sissi, bashkëkryetar i samitit, i tha Trump-it se “vetëm ti” mund të sjellësh paqen në rajon, raporton AP.
Plani i Trump-it ofron mundësinë e një shteti palestinez, por vetëm pas një periudhe të gjatë tranzicioni në Gaza dhe një procesi reformash nga Autoriteti Palestinez i njohur ndërkombëtarisht. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kundërshton pavarësinë palestineze. Trump nuk përmendi një zgjidhje mes dy shtetesh gjatë samitit.
Në fjalimin e tij, Trump bëri thirrje për një epokë të re harmonike në Lindjen e Mesme, duke thënë se rajoni ka “një mundësi një herë në jetë për të lënë pas grindjet e vjetra dhe urrejtjet e hidhura.” Ai u bëri thirrje liderëve “të deklarojnë se e ardhmja jonë nuk do të udhëhiqet nga konfliktet e brezave të kaluar.”/rtk


























