Disa prodhues vendorë i janë bashkuar protestës së Grupit Parlamentar të PDK-së para ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar funksionalizimin e institucioneve dhe konstituimin e Kuvendit.
Ata kanë paralajmëruar se zvarritja e krizës institucionale po i vështirëson edhe më shumë problemet me të cilat përballen fermerët, prodhuesit dhe bizneset, përfshirë kostot e larta, pasigurinë në treg dhe konkurrencën nga importet.
Në emër të prodhuesve vendorë, Abedin Ramadani, i angazhuar në prodhimin e drithërave dhe sektorin e qumështit, tha se mungesa e funksionimit të Kuvendit po pamundëson trajtimin institucional të çështjeve që prekin drejtpërdrejt sektorin prodhues.
“Sot, përveç këtyre problemeve, kemi edhe një problem politik që po na dëmton shumë: mbylljen e Kuvendit. Kur Kuvendi nuk funksionon dhe vendi mbahet në bllokadë, askush nuk merret seriozisht me hallet tona. Nuk ka debat për subvencionet, për tregun, për mbrojtjen e prodhimit vendor apo për politikat që na duhen për të mbijetuar”, deklaroi Ramadani.
Protesta e PDK-së para ndërtesës së Qeverisë po zhvillohet tash e disa ditë me kërkesën për konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve.


























