Prokuroria Speciale ka thënë se po e trajton kallëzimin penal që para tri javësh këshilltarë komunalë të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë deponuan në këtë institucion lidhur me pretendimet për legalizime të kundërligjshme të objekteve dhe çështje që lidhen me pronat në kryeqytet, ku përmenden edhe emra zyrtarësh që i kanë pranuar përmes një sinjalizuesi.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju konfirmon se është pranuar kallëzimin penal për çështjen në fjalë. Prokuroria është duke e trajtuar këtë kallëzim në përputhje me procedurat e parapara ligjore”, thuhet në përgjigjen e tyre për RTK-në, duke mos dhënë më shumë detaje.
Komuna e Prishtinës nuk i është përgjigjur televizionit i cili i kërkoi një qëndrim lidhur pretendimet e sinjalizuesit në dy raste të ndara të cilat i posedon edhe RTK.
RTK ka provuar të marrë një përgjigje nga kryetari Përparim Rama dy ditë më parë, por ai tha se qëndrimet e tij tashme janë publike.
Në rrjete sociale Rama i kishte mohuar pretendimet, duke i cilësuar si shpifje dhe të fabrikuara. Ai ka thënë se lëndët e legalizimit janë aty dhe se ato mund të shfletohen faqe për faqe.
Këto pretendimet të sinjalizuesit, në prokurori nga LVV-ja e Prishtinës ishin deponuar më 30 korrik.
E një ditë pas, Rama kishte thënë se pas vendimit të Prokurorisë, do t’i ndërmarrin të gjitha veprimet dhe procedurat ligjore ndaj kujtdo që rezulton se ka shkelur ligjin.
Por në një e-mail të dytë, sinjalizuesi pretendon se Rama, pas denoncimit të parë, i ka kërkuar lëndët e përmendura aty.
As për këtë komuna e Prishtinës nuk ka kthyer përgjigje, sikurse nuk u përgjigj as ku u pyetën nëse kanë ndërmarrë veprime ligjore lidhur me këto pretendime.


























