Ukraina dhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit të Pashkëve, që u vendos pa paralajmërim nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Armëpushimi u prit me skepticizëm nga Ukraina, megjithëse Kievi ra dakord për të, pasi armëpushime s’ka pasur në luftime që kur Rusia e nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Pashkët vërtetuan se Rusia është burimi i vetëm i luftës dhe arsyeja e zgjatjes së saj.
“Ne jemi të gatshëm të shkojmë drejt paqes dhe një armëpushimi të plotë, të pakushtëzuar dhe të drejtë që mund të zgjasë të paktën 30 ditë, por Rusia ende nuk i është përgjigjur kësaj”, tha Zelensky, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.
Brigada e 66-të e mekanizuar e Ukrainës, e cila aktualisht është e pozicionuar pranë Lyman në rajonin lindor të Ukrainës, Donetsk, tha se besonte se Rusia po përdorte armëpushimin për të vendosur rrugë për pajisje të rënda ushtarake në zonë.


























