Takimi i Këshillit Rusi-NATO, i cili do të mbahet më 12 janar, do të fillojë në orën 10:00 me orën e Evropës Qendrore dhe bisedimet janë planifikuar të zgjasin rreth tre orë, transmeton Kosova Post.
Pas negociatave në selinë e Aleancës në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg do t’i drejtohet shtypit, thuhet në një deklaratë të organizatës.
Më herët NATO ka njoftuar se në dialogun e ardhshëm Rusia duhet të ketë parasysh edhe atë që shqetëson Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Më herët gjatë ditës së sotme për takimin ka folur edhe zëvendësministri rus, Aleksandër Grushko, i cili do të udhëheqë delegacionin rus në ato bisedime.
Sipas tij, pjesëmarrja dhe niveli në të cilin do të përfaqësohet ushtria e Aleancës Veriatlantike në takimin e Këshillit Rusi-NATO do të jetë tregues i gatishmërisë së NATO-s për një bisedë serioze.
“Duke qenë se këto janë çështje të sigurisë ushtarake, ne supozojmë se në këtë takim do të marrin pjesë oficerë të lartë të NATO-s. Ky do të jetë një tregues i gatishmërisë së tyre për një bisedë vërtet serioze, biznes, mbi të gjitha aspektet thelbësore të sigurisë ushtarake në Evropë”, tha Grushko për Sputnik.
Siç është paralajmëruar më parë, negociatat mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara për propozimet ruse për garancitë e sigurisë janë planifikuar për 10 janar në Gjenevë. Supozohet se pas kësaj propozimet ruse do të diskutohen më 12 janar në Këshillin Rusi-NATO dhe më 13 janar në platformën e OSBE-së në Vjenë.
Kujtojmë se në fund të vitit 2021, Rusia njoftoi projekt-marrëveshjet me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n për garancitë e sigurisë.
Ndër të tjera, Moska kërkon garanci ligjore nga partnerët e saj perëndimorë për të refuzuar zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s në lindje, hyrjen e Ukrainës në bllok dhe krijimin e bazave ushtarake në vendet post-sovjetike./Kosova Post/