Administrata e presidentit amerikan Joe Biden pretendohet se i ka bërë thirrje Izraelit të reduktojë “urdhrat e evakuimit” që shkaktojnë migrimin e vazhdueshëm të njerëzve në Gaza, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të Radios Publike Kombëtare të SHBA-së (NPR), të cilin e bazon në një dokument të rrjedhur nga ambasada e SHBA-së në Izrael, thuhet se administrata e SHBA-së ka informuar administratën izraelite se ka shqetësim nga “urdhrat e evakuimit masiv” të administratës izraelite të cilat dënojnë qindra e mijëra civilë me mërgim në Gaza.
Në lajm thuhet se Ambasada e SHBA-së në Izrael i dërgoi një telegram Sekretarit të Shtetit Antony Blinken, duke përfshirë shënimin e vlerësimit të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) lidhur me ndikimin e urdhrave të evakuimit të Izraelit ndaj popullatës palestineze.
Në dokument përmenden masat lehtësuese si “ushtria izraelite të anulojë urdhrat e evakuimit që i ka përfunduar afati për të siguruar liri më të madhe të lëvizjes, ndërprerjen e operacioneve të paktën 48 orë pas lëshimit të urdhrave të evakuimit për të siguruar lëvizjen e sigurt të popullsisë dhe sigurimin e qasjes së vazhdueshme duke mbrojtur zonat humanitare”.
Në lajmin ku tërhiqet vëmendja se Izraeli ka zhvendosur në mënyrë të vazhdueshme palestinezët, ndër të tjera nënvizohet se përmasat e zonave të banueshme dhe të sigurta në Gaza janë ulur ndjeshëm.
Po ashtu në lajm vihet në dukje se sipas dokumentit në fjalë, urdhrat e evakuimit të përsëritur dhe shpesh të nxituar kanë shkaktuar dëm ndaj civilëve dhe se ushtria izraelite i ka dhënë këto urdhra evakuimi pa paralajmërim të mjaftueshëm, duke filluar operacionet pa dhënë kohën e nevojshme.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), më shumë se 88 për qind e Gazës aktualisht ndodhet nën urdhër evakuimi, pasi ushtria izraelite ka lëshuar të paktën 20 urdhra evakuimi në Gaza vetëm që nga 22 korriku.
Gjithashtu lajmi përfshin edhe deklaratat e civilëve të Gazës të cilët kanë shprehur se sulmet ajrore izraelite filluan disa orë pas dhënies së urdhrit të evakuimit dhe se ata duhej të largoheshin mes kushteve të rrezikshme.