Shefat e Misioneve të BE-së takuan kryetarët e komunave veriore të Kosovës

Shefat e Misioneve të BE-së vizituan sot Zveçanin, ku u takuan me kryetarët e katër komunave veriore të Republikës së Kosovës për të diskutuar funksionimin e qeverisjes lokale dhe ushtrimin e kompetencave të tyre tetë muaj pas marrjes së detyrës, pas zgjedhjeve lokale të tetorit 2025, transmeton KosovaPost.

Zyra e BE-së, njofton se kryetarët e komunave paraqitën sfidat që ndikojnë në ofrimin e shërbimeve komunale, përfshirë mungesën e arkivave, mungesën e stafit të kualifikuar, kufizimet buxhetore, çështjet pronësore etj.

Shefat e Misioneve të BE-së zhvilluan gjithashtu takime të ndara me përfaqësues të shoqërisë civile dhe anëtarë të kuvendeve komunale nga partitë opozitare.

“Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare mbeten fuqimisht të përkushtuara ndaj një vetëqeverisjeje lokale të fortë në Kosovë dhe decentralizimit të mbështetur në Kushtetutë dhe Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale. Ata bëjnë thirrje për përmirësimin e koordinimit ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, mbështetje efektive për komunat nga ministritë përkatëse dhe zbatim të barabartë të parimeve të sundimit të ligjit në mbarë Kosovën”, thuhet në njoftim.

Administratat komunale efektive, llogaridhënëse dhe plotësisht funksionale, që ofrojnë shërbime cilësore për të gjithë banorët e Kosovës, përfshirë në veri, janë në interes të publikut dhe thelbësore për ndërtimin e besimit, stabilitetit dhe prosperitetit.

“Si partneri më i fortë dhe më i besueshëm i Kosovës, si dhe donatori më i madh i asistencës financiare, Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë komunat dhe reformat që forcojnë vetëqeverisjen lokale në mbarë Kosovën”, thuhet në njoftim.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish