Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu, e ka bërë një koment në rrjetet sociale duke e propozuar veten e tij për president të Republikës së Kosovës.
“Nuk është hera e parë që propozohet emri im për president. Janë dhjetëra personalitete publike që kanë elaboruar me shkrime të gjata dhe fakte se pse duhet të isha president i Kosovës. Nuk është asgjë jo serioze që dikush ta propozojë veten”, ka thënë Nexhmedin Spahiu në emisionin “Mesditë” në Tëvë1.
Spahiu tha se mendimet e tij i shpreh pa hezitim.
“Të gjitha ata që më njohin janë të vetëdijshëm se mendimet i shpreh hapur. Nuk ia kam frikën askujt. Unë kam thënë se nga njerëzit serioz është vetëm një njeri që mund t’i futet një sfide të tillë dhe ai është Nexhmedin Spahiu”, theksoi Spahiu.
Tutje, ai vlerëson se kreu i LVV-së, Albin Kurti dhe i LDK-së, Lumir Abdixhiku do të vendosin se cili do të jetë presidenti i ardhshëm i Kosovës.
“Dy vetë vendosin se kush duhet të jetë president, Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku. Ata duan dikë që ta nëpërkëmbin dhe ta kenë nën thundrën e vet. Në fakt duhet të ishte e kundërta”, vlerësoi Nexhmedin Spahiu.


























