Tre persona ndalohen pas aksídentit fatal në vendin e punës në Prishtinë

Tre persona janë ndaluar në lidhje me aksidentin e rëndë që ndodhi në një vendpunim në Prishtinë, ku humbi jetën një person dhe një tjetër mbeti i lënduar rëndë, transmeton KosovaPost.

Në njoftimin e publikuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë thuhet se të ndaluarit janë A.Sh., i dyshuar për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, si dhe B.S., në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë ndërtuese, dhe E.E., në cilësinë e përfaqësuesit të kompanisë investuese të projektit, të dyshuar për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Prokuroria njoftoi se aksidenti ndodhi më 28 korrik 2026, rreth orës 15:00. Menjëherë pas pranimit të informatës, prokurori kujdestar, së bashku me Policinë e Kosovës, Njësinë Rajonale të Hetimeve dhe Inspektoratin e Punës, dolën në vendin e ngjarjes për të zhvilluar hetimet.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë angazhuar ekspertë të pavarur të sigurisë në punë dhe një ekspert i inxhinierisë mekanike. Gjithashtu janë siguruar prova materiale, janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë dhe është kryer ekzaminimi i vendit të ngjarjes nga njësia e forenzikës.

Po ashtu, janë intervistuar dëshmitarët okularë dhe personi i lënduar, i cili po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Si pasojë e aksidentit, një person me inicialet E.Sh. ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Lidhur me rastin, Prokuroria ka nisur hetimet për veprat penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, sipas nenit 356, paragrafi 9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas nenit 358, paragrafi 7 të KPRK-së.

Prokuroria bëri me dije se, brenda afatit ligjor, do të vendosë nëse do të kërkojë caktimin e ndonjërës prej masave të sigurisë ndaj të dyshuarve, ndërsa hetimet do të vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish