Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas dorëzimit të 148 nënshkrimeve të delegatëve për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë dhe kërkesës për shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit.
Abdixhiku tha se, në respekt të statutit të LDK-së dhe vullnetit të një të tretës së delegatëve, ka autorizuar sekretarin e përgjithshëm që të nisë menjëherë procedurat për organizimin e Kuvendit të jashtëzakonshëm.
“LDK ka qenë dhe duhet të mbetet shtëpi e demokracisë. Nuk do t’i shmangem asnjë procesi demokratik, nuk do t’i iki asnjë vote dhe nuk do ta mbaj asnjë detyrë kundër vullnetit të shumicës”, deklaroi Abdixhiku.
Ai njoftoi se për shkak të kësaj nisme do të ndërpresë angazhimet për formimin e institucioneve të reja të Kosovës, duke thënë se nuk është serioze të vazhdojë negociatat në emër të LDK-së derisa mandati i tij për ta përfaqësuar partinë është vënë në diskutim.
“Kjo nismë vjen në një moment shumë kritik për ne si parti dhe për vendin. Vjen gjatë bisedimeve për formimin e institucioneve, kur nuk do të duhej të kishim as kohë e as energji për interesa të tjera, përveç krijimit të institucioneve të shtetit”, tha ai.


























