Platforma “Liria ka Emër” do të organizojë të shtunën, më 12 shtator, një marsh në mbështetje të vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe figurave që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Marshi do të mbahet vetëm katër ditë para shpalljes së aktgjykimit për katër krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Organizatorët Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha kanë njoftuar se këtë herë marshi do të ketë një program të veçantë, pjesë e të cilit do të jenë edhe performancat e këngëtarëve Arif Vladi dhe Shkurte Fejza.
Vladi, i njohur për këngët kushtuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës për liri, do të performojë para pjesëmarrësve të marshit.
Ndërsa pjesë e programit do të jetë edhe Shkurte Fejza, e cila prej vitesh është e njohur për repertorin e saj me këngë për luftën, lirinë dhe patriotizmin shqiptar.
Sipas organizatorëve, marshi pritet të mbledhë një numër të madh qytetarësh dhe të jetë një prej organizimeve më të mëdha të platformës “Liria ka Emër”.
Programi i veçantë dhe performancat muzikore pritet t’i japin një atmosferë të veçantë marshit të 12 shtatorit.


























