Të enjten në mëngjes, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me urdhër të Prokurorisë Speciale, në pikën kufitare në Merdarë të Podujevës, kanë arrestuar një shtetas të Republikës së Kosovës, me inicialet F.S., nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Spiunazh” .
Arrestimi i të dyshuarit është realizuar pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga autoritetet kompetente.
Klankosova.tv, përmes burimeve, mëson se i arrestuari është Fehim Sali, i cili punon si arsimtar në një shkollë të Dragashit.
Ndërkaq, kryetari i kësaj komune, Bexhet Xheladini, ka konfirmuar për Klan Kosova se i njëjti nuk ka punuar në sistemin e shkollimit të Kosovës.
“F.S.nuk është arsimtar i sistemit të shkollimit me planëprograme të Republikës së Kosovës”, tha Xheladini për Klanin.
Sipas burimeve, ai u arrestua nën dyshimin për spiunazh për BIA-n serbe.
Fehim Sali vjen nga komuniteti goran i Kosovës.


























