Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarime se kush mund t’i ushtrojë kompetencat presidenciale pas përfundimit të mandatit gjashtëmujor të ushtrueses së detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri.
Kërkesa është dërguar nga deputeti Adnan Rrustemi në emër të 31 deputetëve nënshkrues.
“Kërkesë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e konfliktit ndërmjet kompetencave kushtetuese të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të presidentit të Republikës së Kosovës, në lidhje me ushtrimin e kompetencave presidenciale të domosdoshme për vazhdimësinë institucionale dhe procesin zgjedhor pas përfundimit të periudhës gjashtëmujorë të ushtrimit të detyrës së presidentit, në mbështetje të nenit 113(3)(1) të Kushtetutës”, thuhet në letrën e dërguar nga Rrustemi.
Paraprakisht, edhe vetë Haxhiu i ishte drejtuar Kushtetueses me kërkesë të njëjtë.
Afati për zgjedhjen e presidentit të ri mbaron sonte në mesnatë./REL


























