Pilotët e avionëve luftarakë të NATO-s kanë rrëzuar një dron që hyri në hapësirën ajrore të Lituanisë gjatë natës, ka bërë të ditur presidenti lituanez, Gitanas Nausėda.
Autoritetet lituaneze thanë se droni dyshohet se hyri në territorin e vendit nga Bjellorusia, në jug të Lituanisë, pranë qytetit Kaunas, pak pas mesnatës të së martës, raporton BBC.
Presidenti Nausėda deklaroi në rrjetin social X se droni që kishte hyrë në hapësirën ajrore lituaneze ishte shkatërruar nga avionët luftarakë të NATO-s.
Megjithatë, origjina e dronit ende nuk është përcaktuar. Një zëdhënës i Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Krizave të Lituanisë tha se autoritetet po punojnë për të përcaktuar prejardhjen e tij.
Alarmet për dronë u aktivizuan në kryeqytetin Vilnius dhe në rajonin përreth gjatë orëve të para të së martës. Banorët morën njoftime në telefonat e tyre, ku paralajmëroheshin për një kërcënim të mundshëm nga droni dhe u kërkohej të gjenin një vend të sigurt dhe të prisnin njoftimin për përfundimin e alarmit.
Ministria e Mbrojtjes së Lituanisë tha se Forcat e Armatosura të vendit dhe pilotët italianë që shërbejnë në misionin e NATO-s për mbrojtjen ajrore në rajonin e Baltikut reaguan shpejt ndaj shkeljes së hapësirës ajrore.
Nausėda theksoi se, me intensifikimin e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, gatishmëria për mbrojtjen e hapësirës ajrore është thelbësore për rajonin.
“Bashkë me aleatët tanë të NATO-s, Lituania do ta mbrojë hapësirën e saj ajrore”, tha presidenti lituanez.


























