“Ne ende kemi probleme me Serbinë, Kosova nuk është problem. Problemi është Serbia, veçanërisht presidenti i atij vendi që mendon dhe flet si në vitet 90 të shekullit të kaluar, pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak janë në krizë jo për shkak të serbëve, por për shkak të presidentit të Serbisë, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një intervistë për Radio Televizionin Kroat, transmeton Kosova Post.
Kurti bëri të ditur se më shumë se 11,000 automjete nga Serbia morën targat e përkohshme të Republikës së Kosovës pa asnjë problem: “Ata bashkëpunuan me policinë tonë dhe institucionet tona”.
Kurti thotë se njerëzit në barrikada paguhen nga Serbia: “Disa prej tyre kanë dosje të aktiviteteve kriminale në të kaluarën, ata kanë pikëpamje ekstreme për politikën dhe botën. Disa prej tyre morën pjesë në përpjekjen për grusht shteti në Mal të Zi pesë vjet më parë “.
I pyetur nëse mendon se Aleksandar Vuçiq dëshiron të provokojë një konflikt ndërkombëtar, Kurti tha se nuk mund të mendojë ndryshe.
“E sjellin ministrin e Mbrojtjes në kufi me Kosovën, së bashku me ambasadorin rus në Serbi dhe atasheun e sigurisë të Federatës Ruse në Beograd. Në të njëjtën ditë ata i vunë zjarrin një ndërtese në Zubin Potok. Gjithashtu, MiG-29 sillet rreth Kosovës, helikopterë të prodhuar nga Rusia dhe automjete të blinduara … Pra, ata erdhën me një arsenal ushtarak në kufijtë e vendit tonë. Forcat tona speciale janë atje, si në Bërnjak ashtu edhe në Jarinjë. Të mos harrojmë, një ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 18 shkurt 2008, ata dogjën pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak,”shtoi Kurti.
Kryeministri i Kosovës vlerësoi gjithashtu se në Serbi nuk ka pluralizëm: “Ka një parti. Ajo parti është edhe shteti. Ky shtet është një kishë. Ajo kishë është një parti. Nuk ka pluralizëm atje, atje ka demokraci vetëm në kohë të zgjedhjeve”.
Kurtit, shprehu gatishmërinë për bisedime dhe negociata ndërsa pret që Presidentja e Komisionit Evropian të përcjellë një mesazh të qartë në Beograd, shkruan Danas.
I pyetur nëse është e mundur të bashkohen Kosova dhe Shqipëria, Kurti u përgjigj: “Ne jemi dy shtete, Kosova dhe Shqipëria, por nuk jemi dy kombe. Ne jemi një komb. “Kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk është kufiri shqiptar, as kufiri i Kosovës, është kufiri jugosllav, serb dhe në këtë kuptim ne duam që Prishtina dhe Tirana të bashkëpunojnë sa më ngushtë, të integrohen dhe të ndihmojnë njëri -tjetrin”.sh.o./KosovaPost/