Çmimi Nobel në Fiziologji ose Mjekësi 2026 iu dha së bashku shkencëtarit amerikan Karl Deisseroth dhe shkencëtarëve gjermanë Peter Hegemann dhe Georg Nagel për “zbulimet e tyre lidhur me kanalet jonike të aktivizuara nga drita dhe optogjenetikën”, transmeton Anadolu.
Asambleja e Nobelit në Institutin Karolinska tha se tre shkencëtarët u nderuan për zbulimet që hodhën themelet e optogjenetikës, një metodë që mundëson kontrollimin e aktivitetit nervor përmes dritës, sipas një deklarate.
Hegemann dhe Nagel zbuluan kanalorodopsinën, një proteinë me veti unike që i bën qelizat të ndjeshme ndaj dritës.
Ata zbuluan se kur proteina futet në lloje të ndryshme qelizash, qelizat bëhen të ndjeshme ndaj dritës, duke hapur mundësi të reja për kontrollimin e aktivitetit qelizor përmes dritës.
Më vonë, Deisseroth futi gjenin e kanalorodopsinën në qelizat nervore të minjve.
Duke i ekspozuar qelizat ndaj dritës blu, ai arriti të shkaktojë sinjale nervore.
Më pas, ai zhvilloi teknikën për të kontrolluar qelizat nervore në trurin e minjve të gjallë përmes dritës.
“Kjo metodë për kontrollimin e sinjaleve nervore përmes dritës tani quhet optogjenetikë dhe ka fituar me shpejtësi ndikim global”, thuhet në deklaratë.


























