Emërimi i Fadil Gashit në pozitën e kryeshefit të Ndërmarrjes Lokale Publike “Stacioni i Autobusëve” në Prishtinë ka provokuar reagime dhe dyshime për konflikt interesi, pasi djali i tij, Endrit Gashi, është asambleist në Kuvendin Komunal të Prishtinës, raporton Kosova Post.
Natyrshëm lind pyetja nëse procedura është zhvilluar mbi bazën e meritës dhe kritereve ligjore, apo nëse lidhjet familjare me një zyrtar të zgjedhur në nivel komunal kanë ndikuar në proces.
Fadil Gashi është përmendur edhe më herët si këshilltar në Kompaninë “Pastrimi”, ku mediat kanë raportuar për pretendime lidhur me punësime të dyshuara kundrejt ryshfetit. Në atë periudhë, kryeshef i ndërmarrjes ishte Burim Kelmendi, ndaj të cilit Prokuroria ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Mbetet të shihet nëse organet kompetente do të shqyrtojnë procedurën e emërimit për të vlerësuar nëse janë respektuar standardet ligjore dhe parimet e integritetit në administrimin e ndërmarrjeve publike.


























