Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë në hapjen e edicionit të 16-të të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale EtnoFest, i cili po mbahet në fshatin Kukaj.
Sipas një njoftimi nga Presidenca, në fjalën e saj para të pranishmëve, Haxhiu tha se në veprën e tij me kujtime, At Zef Pllumi e përcolli porosinë që kishte marrë nga At Marin Sirdani: “Rrno vetëm për me tregue”, duke shtuar se kjo porosi na bën të kuptojmë se ajo që nuk tregohet rrezikon të humbasë.
Sipas saj, kur një njeri e ndan me të tjerët atë që ka parë e mësuar, përvoja e tij vazhdon të jetojë në kujtesën e tyre.
“EtnoFest-i e vazhdoi këtë porosi në mënyrën e vet. Prej vitesh, në fshatin Kukaj janë hapur sërish shtëpitë dhe janë mbledhur njerëz në oborre duke ua përcjellë të rinjve këngët, tregimet e zanatet që kanë kaluar prej një brezi te tjetri”, citohet të ketë thënë Haxhiu në njoftim.
Në njoftim thuhet se ajo vlerësoi se, ndonëse kjo pamje sot mund të duket krejt e natyrshme, vite më parë, kur Kukaj po zbrazej dhe shumë prej shtëpive po liheshin pas dore, ishte e vështirë të parashikohej se aty do të mblidheshin artistë dhe publik nga Kosova e më gjerë.
Po sipas njoftimit, Haxhiu kujtoi se Fadil Hysaj dhe Sheqerije Buqaj e rregulluan një ahur të vjetër prej guri dhe e kthyen në teatër, ndërsa nga ai oborr i parë festivali u shtri gradualisht në të gjithë fshatin.
Ajo tha se tema e sivjetme, “Kujtesa”, është vazhdim i natyrshëm i kësaj pune.
“EtnoFest-i është lidhur aq fort me Kukajn, sa vështirë të mendohet diku tjetër. Shfaqjet marrin formë sipas shtëpive dhe oborreve ku luhen, ndërsa banorët e mbajnë festivalin të lidhur me jetën e fshatit”, citohet të ketë deklaruar Haxhiu.
Sipas njoftimit, ushtruesja e detyrës së Presidentes shprehu mirënjohje për Fadil Hysajn, Sheqerije Buqajn, ekipin organizativ, artistët dhe banorët e Kukajt për kontributin e tyre në organizimin dhe zhvillimin e festivalit ndër vite.
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes institucionale për EtnoFest-in.
“Festivali ka dëshmuar çfarë mund të bëjë për Kukajn dhe për jetën kulturore të vendit, andaj mbështetja institucionale është shumë e rëndësishme që të rritet. Detyra jonë është të kujdesemi që organizatorët, banorët dhe artistët ta kenë më të lehtë që ta zhvillojnë edhe më tej festivalin”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Në fund, sipas njoftimit, Haxhiu uroi që EtnoFest-i ta ketë edhe sivjet publikun që meriton dhe që, verën e ardhshme, të mbledhë sërish vizitorët në Kukaj.


























