Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të Ditës Kombëtare të Zvicrës, ku ka vlerësuar marrëdhëniet e veçanta që Kosova dhe Zvicra kanë ndërtuar ndër vite, përcjell KosovaPost.
Në fjalën e saj, Haxhiu tha se lidhjet mes dy vendeve janë të mbështetura në miqësi, bashkëpunim dhe, mbi të gjitha, në marrëdhëniet e ngushta mes njerëzve të të dyja vendeve.
Ajo theksoi se për shumë familje në Kosovë, Zvicra është prej kohësh pjesë e jetës së përditshme, pasi në këtë shtet jetojnë prej vitesh shumë familjarë dhe miq nga Kosova. Sipas saj, në Zvicër janë rritur edhe breza të tërë të komunitetit nga Kosova, të cilët vazhdojnë ta ruajnë lidhjen me vendin e origjinës.
“Afërsia mes njerëzve ka bërë që Zvicra të mos na jetë dukur kurrë larg”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka vlerësuar gjithashtu mbështetjen e Zvicrës ndaj Kosovës gjatë periudhave më të vështira të historisë së saj. Haxhiu tha se Kosova nuk e harron përkrahjen e shtetit zviceran, si dhe kontributin e vazhdueshëm në ndërtimin e institucioneve, zhvillimin e vendit dhe përkrahjen e qytetarëve të Kosovës.
Sipas saj, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës sot janë zgjeruar në disa fusha, duke përfshirë bashkëpunimin politik, sigurinë, arsimin, ekonominë dhe kulturën.
Megjithatë, Haxhiu theksoi se në qendër të kësaj marrëdhënieje vazhdojnë të jenë njerëzit që lidhin të dyja vendet.
Në këtë kuadër, ajo foli edhe për kontributin e shqiptarëve nga Kosova në shoqërinë zvicerane, duke theksuar se ky kontribut tashmë vërehet në shumë fusha.
“Futbolli është ndoshta shembulli më i dukshëm, por për fat të mirë jo i vetmi”, ka thënë Haxhiu, duke përmendur edhe përfaqësues nga fusha të tjera.
Ajo veçoi Ylfete Fanajn dhe Ardian Jusufin si shembuj të njerëzve me prejardhje nga Kosova, të cilët sot janë pjesë aktive e zhvillimit dhe suksesit të Zvicrës.
Haxhiu tha se është krenare për këto histori dhe shprehu mirënjohje ndaj Zvicrës, duke vlerësuar faktin se shumë njerëz nga Kosova kanë gjetur atje siguri, kanë ndërtuar jetën e tyre dhe janë bërë pjesë e rëndësishme e shoqërisë zvicerane.
Në fund të fjalës së saj, ushtruesja e detyrës së Presidentes i uroi popullit zviceran paqe, mirëqenie dhe shëndet, ndërsa falënderoi miqtë zviceranë në Kosovë për miqësinë dhe rolin e tyre në rrugëtimin e vendit.


























