Gjatë qëndrimit në Strasburg të Francës, kryeministri i vendit, Albin Kurti është takuar me eurodeputetë të Grupit të Partisë Popullore Evropiane (EPP) në Parlamentin Evropian.
Në takimin me Lukas Mandl nga Austria, Michael Gahler, Rainer Wieland dhe Niklas Herbst nga Gjermania, Karlo Ressler nga Kroacia, Franc Bogovic nga Sllovenia, Vladimir Bilcik nga Sllovakia, Kurti i njoftoi për zhvillimet e fundit në vend, përcjell teve1.info
Në takim u diskutua edhe për takimin e 18 marsit në Ohër, teksa gjithashtu edhe për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës.
“Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e përkrahjes së Parlamentit Evropian në trajtimin sa më të shpejtë të aplikimeve të Kosovës dhe mbështetjes përgjatë gjithë rrugëtimit integrues. U folë edhe për takimin e 18 marsit në Ohër, mundësitë që paraqet dhe pritjet nga ai takim”, bëhet e ditur në njoftim.
Nga ana tjetër, “eurodeputetët dhanë vlerësimin e tyre pozitiv dhe shprehen mbështetjen e plotë ndaj reformave të qeverisë, përparimit demokratik, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit”.
Kryeministri Kurti po qëndron në një vizitë dyditore në Strasburg për të marrë pjesë në takimin e 10-të të Komitetit Parlamentar për marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe deputetët Mimoza Kusari-Lila, Fitore Pacolli-Dalipi, Jeta Statovci, dhe Armend Muja.