Një kontingjent prej 97 ushtarëve bullgarë, kryesisht nga Brigada e Dytë e Mekanizuar “Tundja”, është nisur nga Stara Zagora për t’iu bashkuar operacionit paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë.
Të caktuar në Komandën Rajonale Perëndimore, ushtarët do të dislokohen në bazën “Villaggio Italia”, ku për gjashtë muaj do të kryejnë misione patrullimi, vëzhgimi dhe mbështetjeje për sigurinë në zonën e tyre të përgjegjësisë, raporton “bnrnews.bg”, transmeton kk.
Sipas Vladko Vladov, shef i Kabinetit Politik të Ministrit bullgar të Mbrojtjes, kjo pjesëmarrje dëshmon angazhimin e Bullgarisë ndaj operacioneve të NATO-s dhe ruajtjes së stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Komandanti i Forcave Tokësore të Bullgarisë, gjeneralmajor Deyan Deshkov, kujtoi se personeli ushtarak i vendit ka marrë pjesë në misionin e Aleancës në Kosovë për 26 vjet, duke fituar gjatë rotacioneve një reputacion të fortë për disiplinë dhe profesionalizëm.
Para nisjes, anëtarët e kontingjentit morën një ikonë të Shën Gjergjit, shenjtit mbrojtës të ushtrisë bullgare, e cila iu dorëzua nga nënkryetarja e Komunës së Stara Zagorës, Milena Jeleva, si shenjë mbështetjeje për misionin e tyre.


























