Enver Hoxhaj, nga PDK-, ka kritikuar politikat e Qeverisë Kurti, duke thënë se ato kanë sjellë pasoja për pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.
Hoxhaj ka deklaruar se Kosova po përballet me izolim, ndërsa sipas tij, aleatët strategjikë po thellojnë bashkëpunimin me Serbinë.
“Dështimet që po sjellin pasoja serioze për Kosovën nuk janë më lajme të reja. Ato janë bërë një model qeverisjeje”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai ka përmendur humbjen e Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara, duke e krahasuar me nisjen e një dialogu të tillë nga Serbia me SHBA-në, gjë që sipas tij paraqet “një hap prapa me pasoja serioze për interesin shtetëror të Kosovës”.
Sipas Hoxhajt, pasojat e këtyre zhvillimeve mund të ndikojnë në sigurinë, zhvillimin ekonomik, investimet e huaja, sektorin e energjisë dhe procesin e integrimit euroatlantik.
Ai ka theksuar se Kosova duhet të punojë për rikthimin e besimit me Shtetet e Bashkuara dhe rivendosjen e Dialogut Strategjik, duke e cilësuar këtë si një prioritet kombëtar.
“Kosova nuk mund ta lejojë luksin e izolimit. Ne kemi ndërtuar lirinë dhe pavarësinë në partneritet me SHBA-në dhe aleatët tanë perëndimorë”, ka deklaruar Hoxhaj.


























