Në ditën e Kurban Bajramit, kryeministri Albin Kurti, së bashku me ushtruesen e detyrës së Presidentes, njëherazi kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë qëndruar për drekë pranë familjes së heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, përcjell KosovaPost.
Më pas, Haxhiu ka vizituar edhe familjen e heroit Enver Zymeri, duke nderuar sakrificën dhe veprën e tyre në mbrojtje të sovranitetit dhe rendit kushtetues të Kosovës.
“Festat na mbledhin rreth familjes. Prandaj, sot ishte e rëndësishme të isha edhe pranë familjeve Bunjaku dhe Zymeri, për të shprehur mirënjohjen dhe për të kujtuar Afrimin dhe Enverin”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se rrugën e tyre po e vazhdojnë edhe djemtë e heronjve, Jetlum Bunjaku dhe Sokol Zymeri, të cilët aktualisht janë kadetë të Policisë së Kosovës.
“Kjo është dëshmia më e mirë se idealet për shërbim ndaj vendit dhe qytetarëve jetojnë brez pas brezi. Faleminderit familjeve Bunjaku dhe Zymeri për mikpritjen. Lavdi e përjetshme heronjve tanë”, ka thënë Haxhiu.


























