Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Puset e Nikës”, me rastin e 29 Gushtit – Ditës së Dëshmorëve të Hanit të Elezit, përcjell KosovaPost.
Kurti ka qenë i shoqëruar nga ish-komandanti i UÇK-së dhe deputeti Rufki Suma, ish të burgosurit politikë Riza Xhakli dhe Valon Berisha, deputetët Jeton Raka dhe Valon Ramadani, si dhe kryetari i Qendrës, Dr. Mirsad Shkreta, bashkë me kolegë e bashkëpunëtorë.
Në një postim në rrjetet sociale, Kurti tha se sakrifica e dëshmorëve është pjesë e themeleve të shtetit të Kosovës.
“Gjaku i dëshmorëve është në themelet e Republikës, andaj është detyrim e obligim i të gjithë neve që e gëzojmë Kosovën e lirë e të pavarur ta forcojmë dhe zhvillojmë shtetin”, ka shkruar Kurti.
Në fund, ai ka përkujtuar 15 dëshmorët e Hanit të Elezit, duke shprehur nderime për luftëtarët e lirisë.
“Lavdi 15 dëshmorëve të kësaj komune dhe të kombit mbarë! Nderime luftëtarëve të lirisë!”


























