Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti të enjten në takim ambasadorin jo-rezident të Irlandës, Ragnar Almqvist, pas marrjes së Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian nga Irlanda.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti e falënderoi ambasadorin për vizitën dhe vlerësoi marrëdhëniet e mira dypalëshe, si dhe kontributin e Irlandës në misionet e EULEX-it dhe KFOR-it. Në njoftim thuhet se që nga gushti i vitit 1999, mbi 3 mijë pjesëtarë të Forcave të Mbrojtjes së Irlandës kanë shërbyer në KFOR.
Duke e përgëzuar Irlandën për marrjen e Presidencës së Këshillit të BE-së, Kurti theksoi rëndësinë që Presidenca irlandeze “ta shtyjë përpara statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave” për Kosovën.
Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin kulturor. Sipas njoftimit, DokuFest do ta hapë edicionin e 25-të jubilar në Prizren më 7 gusht, me një program që ka në fokus Irlandën, ndërsa Kurti falënderoi Ambasadën e Irlandës për mbështetjen ndaj festivalit.
Zyra e Kryeministrit thekson se Kurti vlerësoi se Kosova është “demokracia më e avancuar e rajonit, me rritjen mesatare ekonomike më të lartë, me mbështetjen më të lartë qytetare për Bashkimin Evropian dhe plotësisht e linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së”, duke shtuar se statusi i vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim do të ishin njohje e reformave dhe progresit të arritur.


























