Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në Zyrën e Kryeministrit profesorin amerikan Daniel Serwer, me të cilin ka diskutuar për situatën politike në vend, procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës, si dhe zhvillimet gjeopolitike dhe çështjet e sigurisë, përcjell KosovaPost.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se Serwer ishte mysafiri i parë amerikan të cilit ia uroi 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Sot pata nderin të pres në Zyrën e Kryeministrit profesorin amerikan dhe mikun e madh të Kosovës, Daniel Serwer, për një takim të përzemërt dhe frymëzues. Gjithmonë është kënaqësi të takohem me profesorin Serwer, i cili sot u bë mysafiri i parë amerikan të cilit ia urova përvjetorin e 250-të të pavarësisë së ShBA-ve.”, ka shkruar Kurti.
Ai ka bërë të ditur se gjatë takimit është biseduar për një gamë të gjerë temash me rëndësi për Kosovën.
“Me profesorin biseduam për një gamë të gjerë temash të rëndësishme, duke përfshirë situatën e brendshme politike, hapat që Kosova po ndërmerr në përgatitje për anëtarësim në BE dhe NATO, si dhe zhvillime gjeopolitike dhe implikimet për sigurinë e vendit tonë.”, ka deklaruar ai.
Në fund, Kurti ka vlerësuar rolin e profesorit amerikan si mik i Kosovës.
“Kosova është me fat që e ka një mik si Daniel Serwer, i cili kurrë nuk ka hezituar të flasë të vërtetën për popullin tonë dhe kërcënimet që paraqet Serbia ndaj sigurisë rajonale.”, ka përfunduar Kurti.


























