Kurti pret vullnet të ndërsjellë nga BE-ja për anëtarësimin e Kosovës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka njoftuar për takimin me drejtoren për Zgjerim dhe Fqinjësi të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti.

“Vendi ynë është lider rajonal në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, të drejtat politike e liritë civile, si dhe në indekset e zgjedhjeve dhe demokracive liberale. Krahas linjëzimit të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë me BE-në, si dhe përparimit në përmbushjen e reformave evropiane, ne kemi shënuar rritje të vazhdueshme ekonomike dhe për herë të parë pas 15 vjetësh Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar na kanë larguar nga listat e vendeve të brishta dhe të ndikuara nga konfliktet”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka thënë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është qëllimi dhe e ardhmja e Kosovës.

“Vullnetit të popullit tonë për anëtarësim, BE-ja duhet t’i përgjigjet me vullnet të ndërsjellë për pranim. Statusi i vendit kandidat dhe hapja e negociatave, janë pikënisje e një procesi nga i cili Kosova forcon demokracinë dhe zhvillohet edhe më shumë”, ka thënë ai.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish