Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në takim lamtumirës ambasadoren e Holandës, Karin Boven, me të cilën diskutoi për bashkëpunimin mes dy vendeve, proceset integruese të Kosovës dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në disa fusha, përcjell KosovaPost.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti e falënderoi ambasadoren për bashkëpunimin, kontributin dhe shërbimin e saj në Republikën e Kosovës, posaçërisht për angazhimin e saj për barazinë gjinore dhe promovimin e të drejtave të njeriut.
“Republika e Kosovës e vlerëson thelbësore mbështetjen e Holandës në raport me statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe proceset integruese në përgjithësi. Teksa mirëpresim konsultimet politike ndërmjet Holandës, Belgjikës, Luksemburgut dhe Kosovës, këtë muaj, synojmë të zgjerojmë bashkërendimin strategjik nëpërmjet këtij forumi”, tha Kurti.
Në takim u diskutua për mundësitë konkrete të thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, drejtësisë, energjisë, bujqësisë dhe kulturës, meqenëse së shpejti në Kosovë do të realizohet ekspozita virtuale e Van Gogh.
Kurti i uroi ambasadores Boven suksese në angazhimet e saj të reja dhe theksoi se ajo do të jetë përherë e mirëpritur në Kosovë. 


























