Dogana e Kosovës ka njoftuar se njësitë antikontrabandë kanë zbuluar 30 mijë euro të padeklaruara në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, përcjell KosovaPost.
Sipas njoftimit, njësitë antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë përzgjedhur për kontroll një veturë, ku gjatë kontrollit janë gjetur mjete monetare në shumën prej 30 mijë eurosh, të cilat nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore.
Dogana e Kosovës ka rikujtuar se, sipas nenit 33, paragrafit 1, të Ligjit Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, personat që kalojnë kufirin e Kosovës, në hyrje ose dalje, duke bartur instrumente monetare prej 10 mijë euro apo më shumë, përfshirë kundërvlerën në valuta të tjera, duhet të deklarojnë me shkrim pranë zyrtarit doganor shumën dhe burimin e verifikueshëm të tyre.
Në njoftim thuhet se Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e kontrabandës dhe të qarkullimit të paligjshëm të mjeteve monetare.


























