Mëngjesin e së martës, në Londër ka vdekur historiani, publicisti dhe studiuesi i njohur kosovar, Daut Dauti.
Gjatë jetës së tij, ai ka krijuar një veprimtari të pasur, duke dhënë kontribut të madh në fushat në të cilat është angazhuar.
I lindur në vitin 1960 në Kokaj të Gjilanit, Dauti la pas një veprimtari të gjerë në gazetari, historiografi dhe studime që lidhen me Kosovën dhe çështjen shqiptare.
Ai i kreu studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet pasuniversitare i vazhdoi në Thames Valley University në Londër, në fushën e Bashkimit Evropian.
Karrierën në gazetari e nisi në gazetën studentore “Bota e Re”, për të vazhduar më pas në revistën “Zëri”.
Nga viti 1994 deri më 1999 ishte korrespondent i saj në Londër, ndërsa gjatë viteve 1999–2001 punoi si redaktor në Institute for War and Peace Reporting (IWPR).
Në vitet 2000–2002, Dauti shërbeu si Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës dhe ishte anëtar i pavarur i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ai ka punuar edhe si këshilltar për media dhe zëdhënës i Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga kryeministri Bajram Kosumi, ndërsa në Londër ishte i angazhuar edhe me organizata ndërkombëtare.


























