Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka bërë të ditur se, me unanimitet të plotë, e mbështet nominimin e Bekim Sejdiut për President të vendit.
Sipas deklaratës së lëshuar nga LDK-ja, ky vendim është marrë në përputhje me mandatin e dhënë nga Kuvendi i LDK-së, me procedurat vendimmarrëse të partisë dhe me përgjegjësinë që LDK-ja ka marrë për garantimin e stabilitetit institucional dhe funksionimin e rregullt të rendit kushtetues.
Tutje, thuhet se zgjedhja e Presidentit kërkon një personalitet me integritet, përgatitje profesionale dhe përvojë institucionale.
“Profesor Bekim Sejdiu i përmbush këto kritere. Si jurist, profesor universitar, diplomat dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ai ka ndërtuar një karrierë të gjatë në shërbim të institucioneve të Kosovës. Përvoja e tij në fushën kushtetuese dhe në përfaqësimin diplomatik të vendit përbën garanci për ushtrimin e pavarur, të paanshëm dhe dinjitoz të detyrës së Presidentit”, thuhet tutje në deklaratë.
Ndër të tjera, në deklaratë theksohet se Kryesia u bën thirrje deputetëve të Grupit Parlamentar të LDK-së që, gjatë procesit të votimit, të veprojnë në përputhje me autorizimet e Kuvendit të partisë, vendimin e Kryesisë dhe përgjegjësinë që mbajnë si përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës.


























