Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për qasje pozitive dhe konstruktive nga partitë politike, në mënyrë që të përmbyllet procesi i konstituimit të Kuvendit, të formohet Qeveria dhe të zgjidhet presidenti i vendit, duke shmangur kështu mundësinë e zgjedhjeve të reja.
Kurti tha se për miratimin e propozimeve për nënkryetarë nevojitet edhe mbështetja e mazhorancës, ndaj, sipas tij, duhet të gjendet një dakordim sa më shpejt.
“Le të jemi pozitivë e konstruktivë dhe në këtë mënyrë të kemi Kuvend të konstituar, shpejt Qeveri të formuar dhe të kalojmë tek zgjedhja e kryetarit që duhet të bëhet në mënyrë që t’i evitojmë zgjedhjet e reja”, tha Kurti.
Duke komentuar deklaratën e përfaqësuesit të Listës Serbe, Slavko Simiq, lidhur me propozimin për nënkryetar të Kuvendit, Kurti tha se ajo ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me betimin e deputetit.
Sipas Kurtit, propozimi i dorëzuar me shkrim për Simiqin si kandidat për nënkryetar është në përputhje me Kushtetutën, ndërsa deklarimi i bërë në seancën e Kuvendit ishte, siç e cilësoi ai, në “shpërputhje flagrante” me të.
“Vetëm ai propozim i cili është dërguar me shkrim është në përputhje me Kushtetutën”, deklaroi Kurti.
Kurti komentoi edhe një deklaratë të bërë nga një përfaqësues i grupit parlamentar, i cili kishte ndërlidhur qëndrimin e Simiqit me varrimin e Ratko Mlladiqit. Ai e përmendi Mlladiqin si përgjegjës për masakrën e Srebrenicës dhe kritikoi mënyrën se si ai është nderuar nga Serbia dhe Kisha Ortodokse Serbe.
Në fund, Kurti tha se çështja më e rëndësishme mbetet arritja e një marrëveshjeje për nënkryetarët e Kuvendit dhe shprehu shpresën që kjo të arrihet sa më shpejt me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.


























