Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se gjatë këtij viti do të mbajë zgjedhje të brendshme brenda organizatës.
Kjo çështje është diskutuar në mbledhjen e zhvilluar të enjten me përfaqësuesit e qendrave të Lëvizjes.
Në takim ka marrë pjesë edhe kryetari i LVV-së, njëkohësisht kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me sekretarin organizativ Alim Rama dhe koordinatorin e qendrave Salih Zyba.
Sipas njoftimit, Kurti ka falënderuar qendrat e Lëvizjes për angazhimin e tyre gjatë fushatës zgjedhore dhe ditës së votimit, duke vlerësuar kontributin e tyre si vendimtar për rezultatin zgjedhor.
“Energjia, përgjegjësia dhe puna e treguar nga qendrat e Lëvizjes kanë qenë vendimtare për fitoren tonë të madhe e të përsëritur”, thuhet në komunikatë.
Në mbledhje, përveç vlerësimit të procesit zgjedhor, është diskutuar edhe për çështje organizative të brendshme, përfshirë edhe përgatitjet për zgjedhjet e brendshme që pritet të mbahen brenda këtij viti./teve1.info/


























