Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka dekoruar senatoren amerikane Joni Ernst me medaljen për shërbim të shquar, për kontributin e saj në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe mbështetjen ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), përcjell KosovaPost.
Maqedonci ka pritur të martën në Ministrinë e Mbrojtjes senatoren Ernst, së bashku me delegacionin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, të kryesuar nga gjenerali Stephen Osborn.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj të çmuar ndër vite në forcimin e marrëdhënieve Kosovë–SHBA dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, pata nderin t’i ndaj senatores Ernst medaljen për shërbim të shquar”, ka shkruar Maqedonci.
Gjatë takimit, sipas tij, është diskutuar për partneritetin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.


























