Gjatë dëshmisë së tij para një komisioni parlamentar në Kanada, eksperti i Ballkanit, Dr. Jasmin Mujanoviq, u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë që mosnjohjen e Kosovës ta trajtojnë si një përparësi diplomatike dypalëshe në raport me shtetet e mbetura të Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin pavarësinë e saj.
Mujanoviq, një specialist i politikave për çështjet e Evropës Juglindore, dëshmoi para Komitetit të Përhershëm për Punët e Jashtme dhe Zhvillimin Ndërkombëtar të Dhomës së Përfaqësuesve të Kanadasë. Ai u ftua të ofronte ekspertizën e tij mbi situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Në fjalimin e tij, Mujanoviq deklaroi: “Nuk ka asnjë arsye të qëndrueshme pse vende si Spanja, Sllovakia dhe të tjera nuk e njohin sovranitetin e Kosovës. Duke ndjekur sugjerimin e shkëlqyer të kongresistit Self, mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja duhet t’ua bëjnë të qartë atyre pesë shteteve anëtare të mbetura të Bashkimit Evropian se mosnjohja e Kosovës do të trajtohet si një çështje dypalëshe midis Uashingtonit dhe Otavës nga njëra anë, dhe atyre pesë kryeqyteteve nga ana tjetër”, tha Mujanoviq, duke theksuar nevojën për një politikë të koordinuar perëndimore që do të ndihmonte në avancimin e stabilitetit rajonal dhe integrimit euroatlantik në Ballkan.


























