Platforma qytetare “Liria Ka Emër” ka vendosur edhe në Gjakovë “Orën e Pritjes”, e cila ka nisur numërimin mbrapsht drejt 16 shtatorit, në pritje të drejtësisë dhe lirisë për çlirimtarët Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, përcjell KosovaPost.
Në aktivitet morën pjesë qytetarë të shumtë.
Pas nisjes së “Orës së Pritjes”, në Gjakovë u shpalos edhe baneri gjigant me mesazhin:
“Në emër të popullit, shpalleni TË PAFAJSHËM!”
Nga Gjakova u përcoll edhe një herë mesazhi se Kosova po pret drejtësi dhe kthimin në atdhe të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Aktivitetet e “Liria Ka Emër” vazhdojnë drejt Marshit për Liri, që do të mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku qytetarët ftohen të bashkohen në mbështetje të çlirimtarëve dhe luftës së drejtë të UÇK-së.


























