Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se janë rikthyer në procedurë të gjitha rastet për Pëlqim Mjedisor, ku procesi i konsultimit publik nuk ka përmbushur standardet ligjore, përcjell KosovaPost.
Pacolli ka thënë se vendimmarrja për çështjet mjedisore nuk mund të jetë e plotë pa përfshirjen e qytetarëve, duke theksuar se transparenca dhe pjesëmarrja publike do të jenë në fokus të institucioneve.
“Qytetarët janë aleatët tanë më të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit. Nuk mund të ketë vendimmarrje të drejtë për mjedisin pa zërin e qytetarëve”, ka deklaruar Pacolli.
Sipas saj, me këtë vendim do të rikthehen në procedurë lëndët ku Raportet e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) nuk kanë qenë të qasshme për publikun ose ku nuk janë respektuar procedurat e konsultimit publik.
“Nuk do të jepet asnjë Pëlqim Mjedisor pa u zhvilluar një konsultim publik i rregullt, transparent dhe gjithëpërfshirës me qytetarët”, ka theksuar ministrja.
Ajo ka bërë të ditur se pas përsëritjes së procedurave dhe sigurimit të qasjes në VNM, operatorët ekonomikë do të obligohen të zhvillojnë forma shtesë të konsultimit publik, përmes komunikimit fizik ose elektronik me përfaqësuesit e komunitetit, duke e dokumentuar këtë proces.
“Ky vendim forcon transparencën, rrit llogaridhënien dhe siguron që pjesëmarrja e qytetarëve të mos jetë vetëm një formalitet, por një element thelbësor i vendimmarrjes”, ka deklaruar Pacolli.
Ministrja ka shtuar se qytetarët do të vazhdojnë të jenë partnerë kryesorë në hartimin e politikave për mbrojtjen e mjedisit.


























