Policia e Kosovës sot ka arrestuar një person të dyshuar për kanosje, pasi një ditë më herët, përmes rrjetit social, kishte publikuar në profilin e tij një koment me përmbajtje kërcënuese.
“Pom vyejn 30 mashkuj patriot të armatosur mire me bllokue parliamentin e Kosovēs, dhe mos me u dorëzue deri sa ti zgjedhin krejt institucionet, përgjegjësin dhe te gjitha obliginet I mar vet. Nese e dojm Koosvên duhet me mar dikush inciative per me I ba horr keta horra deputet të papergjeshëm. Kush është I interesuem lajmronu.”, ka shkruar J.S mesazhin e tij kërcnues në profilin e tij në facebook.

KosovaNews merr vesh se bëhet fjalë për Jeton Selmanin nga Podujeva, i cili, sipas të dhënave të siguruara nga institucionet e sigurisë, figuron i dyshuar në gjithsej 31 raste kriminale të evidentuara gjatë periudhës 2000–2023.
Në profilin e tij në facebook Jeton Selmani duket se është një militant i partive opozitare. Në vitin 2017 ai kishte kandiduar për asamble të Komunës së Podujevës nga radhët e AAK-së.

Ai së fundi në profilin e tij në facebook ka publikuar fotografi me deputetin e PDK-së Rrustem Mustafa dh ish kryeministrin Ramush Haradinaj.

Të dhënat tregojnë se rastet në të cilat ai është evidentuar si i dyshuar lidhen me një gamë të gjerë veprash penale. Në mesin e tyre përfshihen vrasja në tentativë, sulmi, kanosja, posedimi dhe përdorimi ilegal i armëve, si dhe raste të tjera të natyrave të ndryshme.
Në evidencat e sigurisë përmenden gjithashtu raste për vjedhje, zhvatje, pengim të drejtësisë, pengim të personave zyrtarë, prishje të rendit publik dhe dëmtim të pasurisë.


























